Teacher’s & International Women’s Day – March 8, 2008

Standard

March8_08EventFlyer_s

Shkruar nga Elmira Muja

Të nderuara mësuese! Të dashura gra e vajza, të të gjitha profesioneve!

Ju uroj mirëseardhjen dhe ju përgëzoj, që zgjodhët veten tuaj, në organizatën e grave Shqiptare- Amerikane “Motrat Qiriazi”, për të kaluar sëbashku disa orë të gëzueshme!

Kjo ditë e sotme është më e veçantë se e viteve të tjera.Nëse në 8 Marset e tjera kemi ëndërruar për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, sot thërrasim me gjithë shpirt: “Gëzuar Lirinë Kosova e martirëvë dhe e dhimbjeve shekullore!”

Shqiptarët e Kosovës, ku një vend nderi ze roli i gruas, nënës, motrës dhe vajzës kosovare, i dhanë shumë jetë-njerëzish në breza, kësaj date.

I dhanë shumë trimëri, mençuri e urtësi, kësaj date.

Kosova dhe shqiptarët, e kudo ndodhur nëpër botë, u pranuan në Sofrat e mëdha të miqësisë, të Europës e të SHBA-ve, duke fituar respektin dhe ndihmën e tyre, për të arritur te kjo Ditë-Pavarësie.

Të gjithë Emrat e nderuar të Mendimtarëve, të Luftrave, të Heronjve, të intelektualëve, Shkrimtarëve , artistëve,politikanëve, si edhe të të gjitha grave e nënave shqiptare, bashkohen te kjo Ditë-Pavarësie.

Te kjo Ditë-Pavarësie, bashkohen të gjitha Dashuritë për jetën, të gjitha Gëzimet për Fitoren!

Brenda kësaj Dashurie e këtij Gëzimi, jemi dhe ne, anëtaret e organizatës së gruas “Motrat Qiriazi” , me Urimin: -Gëzuar në shekuj, Ditën e Pavarësisë,

Kosova-Heroike, Kosova-Qytetare, Kosova-Europiane!

Kjo ditë e sotme e këtij viti ka edhe një të veçantë tjetër: Organizata Gruas Shqiptare-Amerikane “Motrat Qiriazi” mbush 15 vjet nga krijimi i saj.

15 vjet , ku nënat, gratë, motrat, vajzat, kanë festuar sëbashku shumë data dhe ngjarje të shënuara.

Kështu e filloi fjalën e saj përshendetëse në këto dy festa pranverore të përvitëshme, Dr.Anna Kohen, Presidente e Organizatës së gruas shquiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”

Pikërisht në këtë vit të veçantë, u zgjodh një restorant i veçantë : Restorant “Prespa”, pronari i së cilës është zoti Shaqir Gashi, që prej kaq vitesh restorantet e tij të kudondodhura në Manhattan kanë pritur dhe përcjellur shqiptarët e të gjitha trojeve, presidentë, artistë, poetë, shkrimtarë dhe bashkëatdhetarë të tjerë, që më shumë kishin një dëshirë për të takuar një njeri, i cili gjithë jetën e tij ia ka kushtuar çështjes kombëtare.

Një restorant, ndoshta i vogël, por që vuri në jetë fjalën popullore : Nga dashuria dhe gëzimi, shtëpia bëhet e madhe.

*******

Si gjithnjë në fillimn e mbrëmjes përshëndetja e parë për mësuesit.

Mësuesit, që na hapën dyert dhe na mësuan të ecim në rrugët e njohjes së thellë të botës.

Një këngë për mësuesit e të gjitha profesioneve, për të gjithë ata mësues që energjinë e tyre e shndërruan në një busull për të aktivizuar magnetin e kureshtjes, njohurive dhe mençurinë e nxënësve.

Për mësuesit që lanë një pjesë të vetvetes, në zhvillimin e nxënësit, duke e bërë atë një bankë të sigurtë për të depozituar thesaret më të cmuara. Për të gjithë mësuesit që artin e mësuesisë e vunë në zgjimin e kureshtjes së natyrshme të mendjeve të reja, për ata që na bënë të vemë buzën në gaz, të qeshim, të mendohemi, të shkruajmë, të eksplorojmë, të mbajmë shënime, të lexojmë, duke na dhënë mundësi, për të mësuar shumë gjëra të pavdekëshme.

Për të gjithë ata mësues që punojnë për të zhvilluar aftësitë më të vyera të brezave në vazhdim, sepse në çdo njërin jeton një shpresë dhe një ëndërr, e cila në përmbushjen e saj , do të kthehet në përfitim për të gjithë ne dhe një fuqi e madhe për kombin, ruajtjen dhe pasurimin e tij.

“Nëna më e Re” në USA, kështu u quajt zonja Xheni Papa, sepse kishte vetëm tri ditë që ishte bashkuar me të bijën, Loreta Dangëllia. Ndonëse e thyer në moshë ajo ndjehet e rinuar në këtë atmosferë dhe shpesh nuk ndahet nga kori i grave që këndojnë. Ajo gëzohet që me aq respekt e dashuri , Alda Mosko, njëra nga ish nxënëset e saj, e shoqëron duke e prezantuar.

*********

Justia Aliaj , sot, në përvjetorin jubilar të Organizatës së Gruas “Motrat Qiriazi”, shpallet anëtare nderi.

Porteti i aktores dhe këngëtares së shquar Justina Aliaj është i njohur nga të gjithë. Veprimtaritë e saj humane pranë organizatës së gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”. ia kanë rritur akoma më shumë vlerën si grua dhe si artiste.

Roli i saj i dha bukurinë dhe vlerat e vërteta kësaj mbrëmje.

Ana Marku Walsh, nuk është artiste, por krijimtaria e saj në zbukurimoret e grave është një art më vete.

Një përshendetje dhe një dhuratë , dedikuar për “Motrat Qiriazi” enkas për këtë ditë.

Ajo tregon : E bëra këtë gjerdan posacërisht për organizatën e gruas shqiptaro-amerikane, anëtare e së cilës jam që në krijimin e saj. Prapa çdo pjese, që unë krijoj fshihet një histori. Çdo gur me ngjyrën e tij ka një domethënie, ka një kuptim.

Unë i krahasoj gurët gjysëm të çmuar, që unë punoj, me të gjitha gratë. Ne jemi këta gurë – ne jemi dashuria, ne jemi mbrojtja, , ne tregojmë forcë, fuqi kur jemi të pafuqishme , ne jemi të afta për gjithçka, të mbajmë shpresën, kurajon dhe shpirtin lart. Ne jemi gratë shqiptaro-amerikane, krenare dhe dinjitoze, ne jemi burrnesha, – ne jemi lule qe lulëzon në çdo stinë, pavarësisht nga lloji i baltës dhe tokës ku rritet.

***********

Një mysafire e largët, vjen nga Shkupi, Një personazh i njohur në botën intelektuale atje.

Ajo është shkrimtarja dhe poetja, Punëtorie Ziba, që vjen këtu me romanin e saj “Vjeshtë Totemësh”.

Pranë saj qëndron Gjylten Gashi, që dëshiron të thotë diçka.

Fatmirësisht isha në Prishtinë, kur Kosova shpalli pavarësinë. Më duket se ende jam në atmosferën festive të 17 shkurtit. Erdha këtu bashkë me vajzën dhe mbesën time të festojmë së bashku tri festat.

Anila Nicklos ka ardhur nga Ohio. “Ju kam zili”, për këto aktivitete të bukura që organizoni . Në këtë mënyrë ju mbani gjallë shpirtin e komunitetit dhe ruani ndjenjën kombëtare”. shprehet ajo.

E, gjithsesi, festa të tilla kanë në sfond edhe muzikën, që me zgjedhjen e duhur ftoi të pranishmit në ritmin e saj

Nga zemra gëzuar për gratë shqiptare të kudondodhura, të të gjitha profesioneve, që me punë , devocion dhe sakrifica kanë krijuar një pjesë të historisë sonë kombëtare.

Në këtë fillim pranvere e blertë qoftë paqa, dashuria, mirësia bukuria, mençuria, për ju gra shqiptare për familjen tuaj dhe për të gjithë ne!

Gëzuar!